Secondary Adv

Bastet online me rregulla të reja, ndalohen pagesat cash, fitimet kalojnë vetëm përmes bankave

Fitimet dhe depozitat do të kalojnë vetëm përmes bankave dhe institucioneve të licencuara të pagesave.

Ministria e Financave ka miratuar një udhëzim të ri që vendos rregulla më të forta për kryerjen e pagesave dhe tërheqjen e fitimeve në tregun e basteve sportive online. Udhëzimi nr. 13, datë 5 qershor 2026, synon të rrisë transparencën, të forcojë kontrollin ndaj pastrimit të parave dhe të sigurojë gjurmueshmëri të plotë të çdo transaksioni financiar në këtë sektor.

 

Sipas rregullave të reja, të gjitha pagesat që lidhen me bastet sportive online do të kryhen ekskluzivisht përmes agjentëve financiarë të licencuar nga Banka e Shqipërisë. Kjo do të thotë se përdorimi i parave në dorë ndalohet plotësisht, si për depozitimin e fondeve nga lojtarët ashtu edhe për pagesën e fitimeve nga organizatorët.

 

Fitimet dhe depozitat vetëm në llogarinë e lojtarit

Udhëzimi përcakton se çdo depozitë ose tërheqje duhet të realizohet vetëm përmes llogarive bankare, kartave të pagesës ose portofolëve elektronikë që i përkasin vetë lojtarit. Në rast se identiteti i mbajtësit të kartës, llogarisë ose portofolit elektronik nuk përputhet me identitetin e lojtarit të regjistruar në platformë, transaksioni do të refuzohet automatikisht.

 

Të njëjtat rregulla vlejnë edhe për fitimet. Organizatorët mund të transferojnë fitimet vetëm në llogarinë personale të lojtarit dhe në të njëjtin instrument pagese nga i cili janë kryer depozitat. Transferimi i fitimeve në llogari të personave të tretë ose në mjete pagese që nuk i përkasin lojtarit ndalohet shprehimisht.

 

Çdo transaksion do të monitorohet

Rregullorja e re kërkon që çdo transaksion të jetë unikisht i identifikueshëm dhe i gjurmueshëm në sistemet e organizatorit, të agjentit financiar dhe në Sistemin Qendror të Monitorimit Online (SQMO), i administruar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

 

Ministria e Financave argumenton se kjo masë do të mundësojë kontroll më të madh mbi qarkullimin e parave dhe do të reduktojë rreziqet e abuzimeve financiare dhe pastrimit të parave.

 

Kufizime për regjistrimin e lojtarëve

Udhëzimi vendos gjithashtu kufizime të reja për pjesëmarrësit në bastet sportive online. Lejohet vetëm një llogari për çdo person dhe nuk mund të regjistrohen persona nën moshën 21 vjeç. Organizatorët janë të detyruar të bllokojnë aksesin e personave që figurojnë në listën e vetëpërjashtimit të administruar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

 

Mbrojtje më e madhe për fondet e lojtarëve

Për të rritur sigurinë financiare, fondet e lojtarëve duhet të mbahen në llogari të veçanta pranë institucioneve financiare të licencuara. Këto fonde nuk mund të përzihen me fondet operative të organizatorëve dhe, në rast vështirësish financiare të kompanisë, ato do të kenë përparësi ndaj kreditorëve të tjerë.

 

Organizatorët do të jenë të detyruar të kryejnë rakordim ditor të fondeve dhe të raportojnë çdo mospërputhje pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Çdo diferencë negative duhet të korrigjohet jo më vonë se ora 12:00 e ditës pasardhëse.

 

Forcohen masat kundër pastrimit të parave

Rregullat e reja parashikojnë monitorim të vazhdueshëm të transaksioneve të pazakonta, dokumentim të rasteve të dyshimta dhe raportim të tyre pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare. Në rastet kur ekzistojnë dyshime të arsyeshme, organizatorët mund të bllokojnë përkohësisht llogari ose transaksione dhe të njoftojnë autoritetet kompetente.

 

Gjithashtu, kompanitë e licencuara do të raportojnë çdo muaj të dhëna të detajuara mbi shumat e luajtura, fitimet e paguara, depozitat, tërheqjet, numrin e lojtarëve aktivë dhe transaksionet me vlerë mbi 1 milion lekë.

 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat